Prokuroria Speciale e Kosovës tha se më 7 mars është arrestuar Z.A, i nacionalitetit serb, pasi dyshohet se ka kryer krime lufte kundër popullatës civile në Komunën e Kamenicës.
Sipas njoftimit, i pandehuri besohet se në mars të vitit 1999, në stacionin policor në Kamenicë, si person zyrtar, së bashku edhe me policë të tjerë serbë, fillimisht kishin rrahur “me shufra gome dhe shqelma” dhe më pas kishin torturuar “në mënyrë çnjerëzore” të dëmtuarin me iniciale B.M.
Sipas Prokurorisë, i dëmtuari kishte pësuar lëndime të rënda dhe i ishte “kanosur seriozisht jeta” gjatë dhunës së ushtruar që thuhet se ka zgjatur për një orë e gjysmë.
Po ashtu, ai dyshohet se në periudhën shkurt-mars 1999, ka marrë pjesë në “dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës me rrethinë, pastaj ka filluara të bëjë plaçkitjen e shtëpive, e më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve, ai ka vënë zjarrin, si dhe ka marrë pjesë në keqtrajtimin e civilëve shqiptarë”.
Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, i arrestuari dyshohet ka kryer veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile”.
Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998-99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.
Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur pjesa më e madhe e tyre shqiptarë/REL