Enkelejd Alibeaj ju ka bërë sërish thirrje grupit tjetër të deputetëve të PD që të bashkëpunojnë për zgjedhjet e 14 majit.
Gjatë një takimi me strukturat e PD të degës 12 në Tiranë, Alibeaj theksoi se është i gatshëm që të fusë në listën e kandidatëve për kryetarë bashkie edhe emrat e dalë nga primaret e ‘Rithemelimit’.
“Zgjedhjet janë çështje e shqiptarëve, ne do duhet t’u shërbejmë atyre. Oferta jonë duhet të jetë pikërisht ndaj shqiptarëve. Vetëm kështu futemi të bashkuar dhe me shanse shumë të mira për të qenë të suksesshëm. Vetëm kështu mund dhe ia dalim, të bashkuar. Nga kandidatët e primareve tona të bëra në 2021 po e po, por edhe kandidatët të dalë nga primaret e rithemelimit dhe kandidatura të tjera që ofrohen dhe gëzojnë reputacion në komunitet, derën e kanë të hapur. Një kandidat për demokratët, ky është qëndrimi që kemi ne”, u shpreh Alibeaj.
Ditën e djeshme, pas mbledhjes së Kryesisë, Grupit Parlamentar dhe Kolegjit të kryetarëve, ishte rënë dakord ngritja e një grupi prej 3 deputetësh, Gazment Bardhi, Merita Bakiu dhe Flamur Hoxha, të cilët u mandatuan për të biseduar me grupin e Rithemelimit për çështjen e gjetjes së gjuhës së përbashkët për një kandidat të Partisë Demokratike.