Ditën e sotme në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit do të mbahet seanca paraprake për ish-Ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Gjyqtarja Irena Gjoka do të vendosë nëse do të kalojë apo jo çështjen për gjykim.
Mediu u mor i pandehur nga SPAK i cili mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim çështjen në lidhje me shpërthimin e ndodhur në Gërdec.
Në njoftimin e SPAK thuhej se në përfundim të hetimeve është vendosur që çështja të dërgohet në GJKKO, me akuzën e shpërdorimit të detyrës kryer në bashkëpunim.
“Në përfundim të hetimeve paraprake është paraqitur në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesë për dërgimin në gjyq të çështjes penale nr.279 viti 2021, në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu, i akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal, si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues, parashikuar në nenet 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak dhe neni 25 i Kodit Penal”, thuhej në njoftim.