Policia e Vlorës ka ushtruar kontrolle në lokale dhe në ambiente të ndryshme, pas informacioneve që kishin marrë bazuar në inteligjencën informative, me qëllim evidentimin e organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Nga të gjitha kontrollet e ushtruara, policia ka zbuluar një rast kur një person kishte përshtatur lokalin e tij, për lojërat e fatit dhe bastet sportive.
Si rezultat u arrestua në flagrancë shtetasi Xh. Ll., 39 vjeç, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.
Gjatë kontrollit të lokalit që administronte shtetasi Xh. Ll., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 3 njësi kompjuterike që shërbenin për lojëra fati dhe 1 aparat celular që shërbente për të vënë baste sportive.
Në vijim të veprimeve nisi procedimi penal edhe për shtetasit E. M., 23 vjeç dhe Gj. M., 37 vjeç, pasi u kapën duke luajtur lojëra fati të paligjshme, në lokalin e shtetasit Xh. Ll.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.