Policia greke ka arritur të sekuestrojë kamerat e lokalit në “Nea Ionia” të Athinës ku në 21 shkurt u vra 40-vjecari nga Delvina, Pëllumb Islami. Pamjet filmike ishin fshehur qëllimisht nga pronari i lokalit, i cili tashmë ndiqet penalisht për veprat penale “dëshmi të rreme” dhe “përkrahje të autorit të krimit”.
Nga këqyrja e pamjeve filmike rezulton se Pëllumb Islami ndodhet në tavolinë me një shtetas të armatosur. Pas pak në lokal mbërrijnë 6 persona të tjerë dhe aty nis përleshja.
Rezulton se personat që kanë qëlluar me armë zjarri janë personi që shoqërohej me Islamin dhe një nga 6 personat që hyri më pas në lokal. Madje para të shtënave ka pasur edhe përleshje fizike.
Nga pamjet filmike rezulton se personat e përfshirë në total janë 8. Policia ka identifikuar 2 persona të përfshirë në vrasje dhe 6 të tjerë për pjesëmarrje në krim. Deri tani nuk është arrestuar asnjë person. Mendohet se disa fshihen në Shqipëri e disa në Greqi.