“PD të dalë me një kandidat” Bardhi: Fituesit e Primareve t’i kthejmë në fituesit e zgjedhjeve

Deputeti i Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka deklaruar ditën e sotme se PD duhet të dalë me një kandidat të përbashkët në zgjedhjet e 14 majit. Sipas tij nëse demokratët nuk do gjejnë gjuhën e përbashkët dhe do dalin në zgjedhje me 2 kandidatë “do i bëhet një dhuratë Edi Ramës” dhe së të gjithë duhet të jenë përgjegjës nëse kjo ndodh.

Bardhi deklaroi më tej se 14 maji nuk do jetë një betejë brenda PD-së, por duhet të jetë pikërisht kundër qeverisjes dhe kryeministrit Rama.

Ai tha se kandidatët e Primareve të zhvilluara nga Berisha duhet të kandidojnë nën logon e PD si kandidatët e vetëm të demokratëve, duke përmendur emra si Belind Këlliçi, Igli Cara apo Luçiano Boçi.

“Askush nuk ka thirrur fitore për vendimin e Apelit, por propozimi ynë ka qenë në diskutim në mënyrë të vijueshme. Unë personalisht dhe secili prej kolegëve kemi thënë që cilido vendimi i Apelit do respektohet dhe në këtë rast po e respektojmë. Është e vërtetë që çështja është kthyer për rigjykim. Unë jam i bindur se konflikti ligjor brenda PD ka përfunduar, megjithatë nuk e zgjidh problematikën brenda PD.

Së pari propozimi është bërë publik nga Alibeaj pas mbledhjes sonë, por propozimi është bërë në mënyrë të vijueshme. Nevoja për të dalë me një kandidat në zgjedhje. Këlliçi duhet të jetë kandidat i PD-së në zgjedhje, e kam thënë hapur. Ai do duhet të jetë kandidati i atyre që regjistrohen në KQZ nën siglën e PD. Duke qenë se nuk kemi pasur përgjigje pozitive kemi dalë me atë propozim zyrtar që është i çdo kolegu në grupin parlamentar dhe në Kryesi. Unë nuk këmbëngul që të kem domainin e të vërtetës, nëse kandidatët e Primareve konsiderohen fitues nga kolegët le të përqendrohemi që t’i bëjmë fitues edhe në zgjedhje.

Të gjithë jemi PD-ja dhe në zgjedhje duhet të shkojmë të gjithë bashkë për të fituar me kandidatët e përbashkët që duhet të mposhtin kandidatët e Edi Ramës. A ka gjë më të sinqertë që të thuash se kandidatët e caktuar për Tiranën, Durrësin e Elbasanin duhet të mbështeten nga të gjithë?” u shpreh ai./News24

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *