Diplomatja amerikane, Yuri Kim ka zhvilluar një takim për rreth 40 minuta me kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Gjatë takimit, Meta u shpreh se ka nënvizuar situatën shumë të rëndë të krijuar në Parlamentin e Shqipërisë, për shkak të bllokimit antikushtetues dhe të paligjshëm nga ana e qeverisë.
“Bllokimi i Komisioneve Hetimore, interpelancave dhe një serie projektligjesh të propozuara nga Partia e Lirisë, por edhe nga partitë e tjera të opozitës, do të thotë rrëmbimi defakto i Parlamentit nga Qeveria, duke synuar asgjësimin e kontrollit mbi qeverisjen si dhe bllokim i adresimit në Kuvend të shqetësimeve shumë të mëdha të qytetarëve në lidhje me qeverisjen, e veçanërisht më korrupsionin”, ka deklaruar kreu i PL.
Gjithashtu, ai theksoi shqetësimet e shumta, të ngritura edhe nga organizata jofitimprurëse, mbi përdorimin skandaloz të administratës shtetërore, financimeve të buxhetit të shtetit, por dhe veprimtari të tjera klienteliste, në funksion të manipulimit dhe shitblerjes së votës, që lidhet drejtpërdrejtë me zgjedhjet e 14 Majit.
“Korrupsioni galopant dhe endemik vetëm se po thellohet dhe nuk ka asnjë përmirësim apo ndryshim të situatës, se ka një rëndim të mëtejshëm të gjendjes lidhur me pastrimin e parave, narkotrafiqeve dhe veprimtarisë kriminale në vend, gjë e cila ka sjellë një rëndim të situatës së rendit publik dhe të qetësisë së qytetarëve”, tha Meta gjatë takimit, duke përshëndetur angazhimin e DEA-s në Shqipëri, lidhur me veprimtarinë e narkotrafikut dhe problemet kritike që lidhen me të.
Ai konfirmoi vullnetin e palëkundur të Partisë së Lirisë për të kontribuar për zgjedhje të lira, të ndershme dhe brenda standardeve europiane, që sipas tij “do t’i jepnin fund monizmit në pushtetin lokal”, si dhe këmbënguljen e Partisë së Lirisë për denoncimin në të gjitha nivelet, të korrupsionit qeveritar dhe lokal.