Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u shpreh se me figurat e PD dhe PL në zgjedhjet e 14 majit, Elbasani “do të demonstrojë një vizion të sigurt drejt rimëkëmbjes”.
Në një takim me strukturat e kësaj partie, Meta u shpreh se mbështetja e qeverisë për të rinjtë në vendin tonë le për të dëshiruar. Më tej ai premtoi një fushatë model për 14 majin ku tha se nëse fitojnë, “zëri i qytetarëve do mbizotërojë në drejtimin e Bashkisë”.
“Unë besoj se Elbasani me një kryebashkiak të ri si Luçiano Boçi që tashmë është një figurë e shquar, Elbasani me figura të tilla do të arrijë që të demonstrojë një vizion të sigurt për rimëkëmbjen e tij të shpejtë për të shprehur të gjitha potencialet që ka Elbasani në zhvillim. Dje për 7 mars u detyrova të tregoja disa shifra tronditëse ku nuk jemi ndalur për të kuptuar ku jemi ne në raport me të ardhmen dhe me vendet e rajonit gati 20% ka rënë nga viti 2021 numri i atyre që mbarojnë shkollat e mesme dhe të larta në Shqipëri, ndërsa në vendet e tjera të rajonit ka përmirësime të ndershme dhe kjo ndodh sepse cilësia e shkollës dhe e edukimit është në nivele mjaft të përkeqësuara por edhe mbështetja ndaj të rinjve lë shumë për të dëshiruar, shumë lënë shkollën sepse nuk përballojnë dot kostot e jetesës, unë besoj se me Rudinën dhe me shumë intelektuale si ajo ne të krijojmë një qendër të re graviteti për zhvillimet në Elbasan.
Pushtetet e paligjshme përjashtojnë qytetarët nga qeverisja vendore dhe qendrore, ne jo vetëm do të bëjmë një fushatë model por pas fitores do të jenë garancia se zëri juaj i grave dhe nënave dhe qytetarëve do të mbizotërojë në drejtimin e Bashkisë për mbajtjen e premtimeve dhe njëkohësisht për ta vendosur Bashkinë në funksionin tuaj. Do të kemi në krye të fushatës gra të zonja dhe intelektuale sepse besojmë te fuqia e ideve dhe njëkohësisht besojmë se përmes këtyre zonjave japim mundësi ta bëjmë më njerëzore këtë politikë kaq të egër, ta bëjmë më të përkushtuar”, tha Meta.