Kryeministri Edi Rama deklaroi ditën e sotme se Partia Socialiste do të fitojë bindshëm në zgjedhjet vendore të 14 majit. Rama u shpreh se fitorja nuk ka rëndësi për numrat por për atë që do t’ju ofrohet qytetarëve.
“Mendoj që do të fitojmë shumë bindshëm por për hir të së vërtetës dua të jem i drejtpërdrejt. Fitorja me kundërshtarë të tillë, në aspektin aritmetik është minimumi. Duhet të shkojmë përtej, se të hysh në fushë me kundërshtarë të padenjë për të qenë në fushë nuk është e vështirë të fitosh. Kjo do të thotë më shumë për njerëzit sepse këto lloj situatash të shkëputin nga njerëzit. Fitorja nuk është e lehtë por nuk është kaq e vështirë sa kur merresh me pagat, pensionet, investimet. Kjo është sfida ku duhet të përqëndrohemi.”-tha Rama.
Në lidhje me vendimet e fundit të qeverisë për rritjen e pagave Rama tha se Partia Socialiste fiton edhe pa të tilla vendime. “Për fat të mirë, nuk kemi nevojë të bëjmë gjëra të tilla për të fituar, ne fitojmë dhe pa i bërë këto.”-tha Rama.
Më tej, ai u pyet se a ka gisht që opozita është e dobët dhe del në zgjedhje pa vulë dhe pa logo. Rama tha “vula, vula o Zot”.