Policia në Hamburg kishte marrë një informatë anonime dy muaj më parë me shqetësime për personin e armatosur që vrau shtatë persona në një sallë të Dëshmitarëve të Jehovait në Hamburg, por ai i kishte bindur atëkohë që të mos ia merrnin armën.
Policia kishte pranuar një letër në janar të këtij viti, në të cilën ishin ngritur shqetësime për shëndetin mendor të Philipp F, 35 vjeç, dhe blerjen e municioneve nga ana e tij, por oficerët nuk gjetën arsye për shqetësim kur e vizituan atë muajin e kaluar.
Mirëpo të enjten mbrëma, ai vrau katër burra dhe dy gra të moshës 33 deri në 60 vjeç dhe një fetus femër shtatëmuajshe gjatë sulmit që nisi rreth orës 21:00 të së enjtes, që ka lënë gjithashtu tetë të plagosur, prej të cilëve katër në gjendje të rëndë.
Personi i armatosur vrau më pas veten me armën e tij, ndërsa oficerët e policisë kërkuan ta shtynin të dorëzohej pasi e ndoqën deri në katin e parë të ndërtesës trekatëshe, pranë qendrës së qytetit të Hamburgut.
“Ai është një ish-pjesëtar i Dëshmitarëve të Jehovait që u largua vullnetarisht nga komuniteti rreth një vit e gjysmë më parë, por me sa duket jo në kushte të mira”, ka thënë Thomas Radszuweit, kreu i sigurimit shtetëror të Hamburgut.
I dyshuari kishte një leje për armë si gjuajtës dhe kishte në posedim të ligjshëm një armë Heckler dhe një Koch P30.
Ai u vizitua në shkurt pasi u mor një letër anonime që sugjeronte se konsulenti i biznesit vuante nga një sëmundje mendore.
Gjatë një vizite të mëvonshme, Philipp F i bindi oficerët se nuk kishte arsye për shqetësim.
Shefi i policisë, Ralf Martin Meyer, tha në një konferencë për shtyp të premten se nuk kishte asnjë bazë ligjore për t’ia marrë atij të drejtën e posedimit të armës.