Dega e Partisë Demokratike të Vaut të Dejës ka propozuar një kandidat të dalë nga procesi i “Primareve” për të garuar në zgjedhjet vendore të 14 majit.
Bëhet fjalë për deputetin e PD-së, Zef Hilën i cili ka marrë pëlqimin e demokratëve gjatë procesit të “Primareve” të zhvilluara në 2022.
PD e Vaut të Dejës përmes një postimi në Facebook thotë se Zef Hila ka marrë pëlqimin edhe të primareve të organizuara në vitin 2021.
Më pas, dega e PD-së shton se propozimin për Zef Hilën do t’ua përcjellë me shkrim Enkelejd Alibeajt, Jorida Tabakut dhe Gazment Bardhit.
Postimi i PD-së, dega Vau i Dejës:
Pas informimit nga kryetari i degës z. Gentian Ndoj mbi diskutimet e zhvilluara nga Kolegji i Kryetarëve në datën 6 Mars 2023, dhe në vijim të diskutimeve të zhvilluara, Kryesia e Degës së PD Vau Dejës mbështet plotësisht thirrjen e organeve drejtuese për të dalë me një kandidat unik në zgjedhjet vendore të 14 Majit 2023.
Duke pasur në konsideratë deklaratën e kryetarit në detyrë z. Enkelejd Alibeaj që në këtë proçes do të merren në konsideratë si kandidaturat e dala nga proçesi i primareve të organizuara në vitin 2021, ashtu edhe proçesi i primareve të organizuara në vitin 2022 nga Komisioni i Rithemelimit, konstatojmë se deputeti i zonës z. Zef Hila, është kandidatura e vetme që ka marrë mbështetjen me votë në të dy këto proçese.
Prandaj, në emër të PD Vau Dejës shprehim vullnetin tonë të plotë për të mbështetur z. Hila si kandidat unik të të gjithë demokratëve të Vau Dejësit për zgjedhjet vendore të 14 Majit. Për shkak të kontributit dhe mbështetjes së tij në zonë, jemi të bindur se z. Hila është një kandidaturë fituese.
Këtë propozim, Kryesia e PD Vau Dejës do t’ia përcjell me shkrim z. Enkelejd Alibeaj, znj. Jorida Tabaku dhe z. Gazment Bardhi, si përfaqësues të organeve drejtuese të PD-së. Mbetemi të bindur që vullneti i strukturave drejtuese të PD Vau Dejës do të respektohet, në funksion të fitores së bashkisë dhe bashkimit të demokratëve.