Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka zhvilluar sot një takim me qytetarët e Kuçovës, së bashku me kandidatin e opozitës Lefter Maliqi. Meta tha se kandidati i Kuçovës është një nga më të mirët, duke shprehur mbështetje për të dhe ambiciet e tij për këtë qytet.
Meta theksoi edhe një herë se në zgjedhjet e 14 majit, do të dalin fitues.
“Një shi shumë i fortë dhe një bereqet shumë i madh do të jetë në 14 maj në kutitë e votimit. Le të ecim të sigurt drejt fitores së këtyre zgjedhjeve. Ftoj kandidatin apo kandidaten që do jetë i rilindjes, të përballet me Lefter Maliqin.left
Komunizmi pavarësisht nga krimet e sistemit, të paktën hapi shkolla në të gjithë Shqipërinë, ndërsa Rilindja ka bërë që çdo vit të mbyllen shkolla në gjithë vendin. Të mbyllen degët e universiteteve. Të ngelen mësues pa punë se nuk ka më nxënës. Interesi i vetëm është investimi nëpër kulla për të pastruar para.
Janë këto arsyet pse nuk ka transparencë nga pushteti vendor dhe qendror. 10 milionë euro në vit shkon për inceneratorët në Tiranë. 430 mln euro vidhen dhe shpërdorohen në vend që të ktheheshin në kopshte e çerdhe.
Kur ky model i vjedhjes dhe korrupsionit ndodh në Tiranë e në Durrës, po këtu çfarë ndodh? Keni një kandidat të jashtëzakonshëm, me energji nukleare, i cili e ka të qartë sloganin e tij. Ai është shumë ambicioz dhe ne do t’i mbështesim ato.
Rilindja duhet të ndëshkohet një orë e më parë, para se të përzërë të gjithë të rinjtë e Shqipërisë”, tha Meta.