Kreu i PD, Sali Berisha prezantoi sot kandidaten për Bashkinë e Korçës, Ledina Alollin e cila do të garojë në zgjedhjet e 14 majit.
Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se këto janë zgjedhjet më të rëndësishme që prej vitit 1992.
Ai u shpreh se në 8 vite të qeverisë socialiste, janë larguar 1 milionë shqiptarë nëpër botë.
“Vendi sot, ka nevojë më shumë se kurrë për mençurinë tonë. Sot, ne shkojmë drejt fushatës së zgjedhjeve lokale. Sot përsëri theksoj se këtoj zgjedhje, në bindjen time, për nga rëndësia, tejkalojnë të gjitha zgjedhjet që kemi bërë deri më sot pas atyre të 22 marsit të vitit 1992. Tejkalojnë dhe ajo çka unë do kërkoja nga çdo qytetar i Korçës, të shtrojnë pyetjen, kur ky vend ka qenë në një ritëm shpopullimi dhe shkretëtimi në histori sa këto 8 vite? Në këto 8 vite, kemi 1/3 korçarë më pak se sa kishim 8 vite më parë. Secili prej nesh, nuk ka më në Shqipëri 1/3 e njerëzve të tij të dashur.
Secili prej nesh, nuk ka më sëpaku 1/3 e të rinjve dhe fëmijëve tanë. Në 8 vite, ne kemi humbur vetëm në hapësirën e BE-së, 937 mijë shqiptarë. Po të shtojmë SHBA-në, Kanadanë e vende të tjera jo shengen, kjo shifër kap 1 milionë. Fuqia konsumuese e këtij kombi është pakësuar me 1/3. Nëse vazhdojmë me këto qëndrime të deritanishme, pas 8 vitesh, do të kenë ikur 2/3. Fatkeqësitë më të mëdha të njerëzimit, i kanë ardhur nga ecja në këtë mënyrë. Nga indiferenca ndaj të keqes. Sot, mendoj unë, ky faktor duhet të zgjojë çdo shqiptar. Ky faktor duhet të shkundë çdo shqiptar, të ndryshojë.
Pse do pakësohemi ne në këtë mënyrë në një kohë kur u krijuan mundësitë që ne të begatohemi. Unë besoj se çdo shqiptar që e ndjen veten të tillë, duhet të marrë një vendim dhe të kontribuojë në këto zgjedhje. Por ky është vetëm njëri plan. Çfarë po ndodh me shqiptarët këto 8 vite. Ata po varfërohen dhe këtë s’mund ta mohojë askush. Këto 8 vite, për shkak të inflacionit, shqiptarët marrin rrogë 30% me më pak vlerë se sa në vitin 2013”, tha Berisha.