Kosovë, sot mbyllet afati për partitë politike që ta njoftojnë KQZ-në për mospjesëmarrje

 

Më 23 prill pritet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – dhe zgjedhjet e parakohshme për dy kuvendet komunale – Zveçan dhe Leposaviq. KQZ ka filluar zbatimin e planit operacional për organizimin e këtyre zgjedhjeve, ku 13 marsi është vendosur si data e fundit kur partitë politike mund ta njoftojnë këtë institucion për mospjesëmarrje në zgjedhje.

Sot është dita e fundit, kur partitë politike mund të dorëzojnë njoftim zyrtar për mospjesëmarrje në zgjedhje. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Afati i vendosur nga KQZ-ja për partitë politike për të deklaruar mospjesëmarrjen në zgjedhje është deri më 13 mars”, tha ai.

Elezi bëri të ditur se deri në orën 15:00 të së premtes, në KQZ 8 parti politike i kanë dërguar njoftimet zyrtare për mospjesëmarrje

“Duke filluar nga data 9 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar zbatimin e planit operacional për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok dhe zgjedhjeve të parakohshme për kuvendet komunale të dy komunave: Zveçan dhe Leposaviq, të cilat do të mbahen më 23 prill 2023. Mund t’ua konfirmoj se deri më tani (10 mars 2023, 15:00) kemi pranuar deklarimet për mospjesëmarrje në zgjedhje nga 8 parti politike: Partia Demokratike e Diasporës, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Pokret za Gora, Socialdemokratska Unija, Fjala, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Kosovaki Nevi Romani Partia, Partia Demokratike e Unitetit”, ka thënë Elezi.

Lista Serbe të premten ka deklaruar se nuk do të marrin pjesë në zgjedhje, mirëpo njoftim zyrtar në KQZ nuk ka dërguar.

Kujtojmë që afati për të aplikuar për certifikim është i hapur deri më 22 mars.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *