Tritoli në banesën e kryetarit të PD, deputetja demokrate: Akt terrorist për hakmarrje politike!

Deputetja demokrate, Lindita Metaliaj e ka konsideruar një akt terrorist shpërthimin me tritol në banesën e kryetarit të PD-së në fshatin Ungrej të Lezhës.

Në një postim në rrjete sociale, Metaliaj shkruan se ky shpërthim të bën të dyshosh për pistën e hakmarrjes politike, duke shtuar se Preng Pjetri ishte në banesë me nënën e moshuar dhe bashkëshorten e tij kur ndodhi ngjarja.

Më tej, ajo theksoi se dënojmë burracakërinë e vendosjes së eksplozivit në shtëpinë e z. Pjetri, një akt kundër ligjeve të shtetit dhe Kanunit të maleve”

Ndërsa iu drejtua qytetarëve të Lezhës duke thënë: “Ata që duan të mbjellin panik janë në panik nga humbja e sigurtë me 14 maj, dhe atë ditë do të marrin edhe përgjigjen që meritojnë nga vota juaj”.

“Një shpërthim me eksploziv rreth orës 2 pas mesnatës, ka dëmtuar keqas shtëpinë e Preng Ndue Pjetrit, kryetar i PD në fshatin Ungrej. Pjetri ka qenë në banesë me bashkëshorten dhe nënën e moshuar kur ka ndodhur shpërthimi. Akti terrorist i mesnatës të bën të dyshosh për pistën e hakmarrjes politike. Takimi entuziast në Lezhë i kryetarit të PD Sali Berisha në prezantimin e kandidatit për Kryetar Bashkie Pashk Gjoni, ku ka marrë pjesë edhe kryetari i seksionit Ungrej Pjetri, me shumë bashkëfshatarë, ka angazhuar me sulme verbale shumë patronazhistë e aktivistë të Rilindjes dhe të emëruarit 6 % në krye të Bashkisë Lezhë.

Dhuna verbale pasohet gjithmonë nga dhuna materiale. Ndërkohë që nuk duam të arrijmë në përfundime, i bëjmë thirrje policisë dhe strukturave ligjzbatuese të bëjnë punën e tyre, të hetojnë dhe të çojnë pas hekurave si dorasët ashtu dhe porositësit e këtij akti terrorist. E dënojmë burracakërinë e vendosjes së eksplozivit në shtëpinë e z. Pjetri, një akt kundër ligjeve të shtetit dhe Kanunit të maleve. Demokratëve dhe qytetarëve të Lezhës u bëjmë thirrje të mos kenë frikë. Ata që duan të mbjellin panik janë në panik nga humbja e sigurtë me 14 maj, dhe atë ditë do të marrin edhe përgjigjen që meritojnë nga vota juaj”, shkruan Metaliaj.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *