Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Dendias, ka zhvilluar të hënën një bisedë telefonike me emisarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, një ditë pas vizitës së tij në Prishtinë.
Dendias ka bërë të ditur se Lajçakun e ka informuar lidhur me vizitën e fundit në Kosovë, si dhe kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në kuadër të dialogut.
“Kam zhvilluar një bisedë telefonike sot me të Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe e informova për vizitën time të fundit në Prishtinë. Diskutuam për zhvillimet e fundit në lidhje me dialogun Beograd – Prishtinë”, ka shkruar ai.
Në vizitën e tij të gjashtë si kryediplomat në Kosovë, Dendias ka takuar presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Jashtme, Donika Gërvalla, me të cilët ka diskutuar mbi procesin e dialogut me Serbinë, zhvillimet e fundit politike në vend dhe rajon, si dhe për mundësitë e bashkëpunimit midis dy vendeve.
I held a telephone conversation today with the #EUSR, @MiroslavLajcak and briefed him on my recent visit to #Pristina. Timely discussion on the latest developments regarding the Belgrade – Pristina Dialogue. pic.twitter.com/TxHdG8aoWF
— Nikos Dendias (@NikosDendias) March 13, 2023