Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me vendimin e qeverisë për rritjen e pagës minimale në 400 mijë lekë, e cila do të hyjë në fuqi më 30 prill.
Me anë të një reagimi në rrjete sociale, Rama shkruan se qeveria nuk mund ta çojë dot pagën minimale në 80 mijë lekë të reja, pasi asnjë vend i rajonit nuk e ka.
Sakaq, duket se Rama është vënë në lëvizje duke nisur kështu edhe “fushatën”, pasi ky vendim i qeverisë vjen 15 ditë para zgjedhjeve lokale.
“E kemi nisur nga vendi i fundit në rajon për nivelin e pagës minimale, ndërsa me rritjen e fundit ngjitemi në vendin e tretë baraz me Maqedoninë e Veriut, duke lënë pas Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën.
Do të bëjmë edhe dy rritje të tjera për ta mbyllur këtë mandat me pagë minimale 45 mijë lek, nga 38 mijë që ishte objektivi ynë elektoral, por që s’merrte parasysh inflacionin e luftës së Putinit për të gjunjëzuar ekonomikisht mbarë Europën! Ndërkohë kjo rritje përtej parashikimeve e pagës minimale imponon edhe rritjen e pagës mesatare për të riekuilibruar piramidën e pagave, çka do të bëhet njëkohësisht në muajin prill.
*Disa komentojnë se paga minimale duhet të bëhet 70 apo 80 mijë lekë, por përllogaritja e pagës minimale bazohet në produktivitetin ekonomik dhe konkurueshmërinë, jo në dëshirat tona (asnjë vend i rajonit nuk e ka një minimum të tillë). Çdo rritje artificiale e saj sjell me shpejtësi pasoja destabilizuese për ekonominë, punësimin, financat e vendit”, shkruan Rama.