‘Rrugorja’ e Tiranës në aksion: U kapën me shpejtësi të lartë dhe duke bërë gara, procedohen 70 shoferë

Policia Rrugore e Tiranës ka shtuar kontrollet në rrugët urbane dhe interurbane kryesore për të bërë të mundur mos lejimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit.

Me anë të një njoftimi në rrjete sociale, Blutë raportojnë se si rezultat i kontrolleve gjatë ditëve të fundit janë konstatuar dhe proceduar 70 shoferë për për mosrregullim dhe gara shpejtësie.

Sakaq, policia iu bën thirrje shoferëve që të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe të mos ekspozojnë video apo mesazhe të cilat kanë karakter joedukues për sigurinë rrugore.

Njoftimi i policisë:

Tiranë

Në funksion të kontrolleve parandaluese, efektivët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë kanë shtuar kontrollet në rrugët urbane dhe interurbane kryesore, me risk për aksidente rrugore, për shkak të mosrregullimit të shpejtësisë, kryesisht në qendrat e banuara dhe në afersi të vendkalimeve të këmbësorëve.

Si rezultat i kontrolleve me patrulla dhe mjete civile, të alternuara me shërbime të tjera të uniformuara, gjatë ditëve të fundit janë konstatuar dhe proceduar 70 drejtues mjetesh, për mosrregullim shpejtësie dhe për gara shpejtësie.

Gjithashtu, duke konsideruar impaktin negativ që shumë të rinj japin në rrjetet sociale, duke publikuar shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, kryesisht shpejtësitë mbi normat e lejuara, garat e shpejtësisë dhe përdorimin e celularit, po vijon puna për identifikimin dhe procedimin e tyre, sipas shkeljeve të kryera.

Policia Rrugore e Tiranës apelon për drejtuesit e automjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe apelon gjithashtu për ndalimin e publikimeve që kanë karakter joedukativ për sigurinë rrugore.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *