Ish-kryeministri Sali Berisha zhvilloi ditën e sotme një takim me demokratët e Mirditës. Gjatë fjalës së tij ai i konsideroi një skenar të mirëmenduar të gjitha zhvillimet brenda PD-së dhe për mosregjistrimin e saj në zgjedhjet lokale.
Berisha akuzoi qeverinë se ka rritur qëllimisht çmimet, për interesat personale të kryeministit e personave pranë tij.
Pjesë nga fjala e Berishës: Shqipërinë e quajnë Norvegjia e Ballkanit për ujërat që ka. Shqiptarët vidhen. Çfarë ndodh me energji, kamzhik mbi shqiptarët. Dy vitet që shkuan, falë hidrocentralet që u ndërtuan ne kemi arritur në 9 miliardë kilovat orë. 2 miliardë duhet të ktheheshin në të ardhura për ju. Vidhen në mënyrën më kriminale. Gjatë verës, i zbrazin digat dhe ja shesin disa personave me 20-30 euro, që janë njerëzit e tyre. Këta e marrin energjinë në verë dhe e shesin në bursë dhe ndajnë paret me qeveritarët.
Nga ana tjetër bërtasin kriza kriza. Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës ka sjellë drama shumë të egra njerëzore. Por klimën nuk e kanë ndryshuar. Rama e përdori energjinë për të pasuruar klikën e tij. Kjo është në çmimet. Krijojnë bordet. Çfarë kishim ne me luftën në Ukrainë, me prodhimin e bulmetrave? Bordet janë për të rritur çmimet e për pasojë rritet arka e shtetit. për çdo ushqim paguajmë 20% TVSH. Nëse çmimi rritet, TVSH-ja rritet. Qeveritë që mendojnë për qytetarët, jua kthejnë shqiptarëve.
Javët e fundit, jeni dëshmitar se si u bënë përpjekjet më primitive dhe të turpshme që PD-ja të përjashtohej nga zgjedhjet. U shty procesi zgjedhor me 3 ditë, para afatit të fundit. Me urdhër u rrëmbye vula dhe sigla e PD-së, duke besuar se në këtë mënyrë nuk do hynim në zgjedhje. Ne e dinim që PD-ja jeton mbi idealet tuaja, jeton në respektin e të gjithë shqiptarëve për të cilët pluralizmi dhe liria janë të pandarë. Siç dështuan me skenarët e tjerë, dështuan edhe kësaj radhe. 14 maji, është dita në të cilën Albert Mëlyshi do bëhet qytetari i parë i Mirditës. Koalicioni opozitar do i japë goditjen e merituar regjimit të Edi Ramës.