Presidenti i Republikës Bajram Begaj vlerësoi kontributin e grave në trashëgiminë kulturore dhe etnografike shqiptare. Në një aktivitet të titulluar: “Gruaja, shpirti i thesareve tona etnografike”, Kreu i Shtetit foli për rëndësinë e trashëgimisë kulturore në vend, duke kërkuar përfshirje sa më të madhe edhe në shkolla.
“Të pasurojmë kurrikulat shkollore, të nxisim ndërveprim me fëmijët që në klasat e para mbi trashëgëminë tonë kulturore. Edukimin, trashëgëmia përmes pikave të referencës, përmes themeleve të tilla të etnografisë shqiptare si Afërdita Onuzi.”
Zonja e Parë, Armanda Begaj kërkoi mbështetje sa më të madhe ndaj etnografisë dhe rolit të gruas shqiptare në krijimin dhe ruajtjen e kësaj pasurie.
“Gruaja luan një rol kryesor në edukimin e fëmijëve duke transmetuar kështu shumë prej këtyre vlerave të cilat janë pjesë e trashëgëmisë jo materiale tonën.”
Në fund të ceremonisë, iu dha titulli “Mjeshtër i Madh” etnografes së njohur Afërdita Onuzi.
Motivacioni i këtij titulli ishte për kontributin e jashtëzakonshëm në studimin e trashëgimisë kulturore të popullit shqiptar, mbledhjen dhe dokumentimin e pasurisë etnografike shqiptare.