Kryetari i Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla u vu në prangat e policisë, mbrëmjen e djeshme me urdhër të SPAK.
Sipas njoftimit të SPAK, Alla akuzohet për “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Shpërdorimi i detyrës” për shkeljet gjatë procedurës së prokurimin publik me proçedurë të hapur për tenderin e ndërtimit të rrjetit të furnizimit dhe rrjetit shpërndarës Ujësjellësi dhe ndërtimi i rrjetit të KUZ, Lagja e vjetër, qyteti Bulqizë, Bashkia Bulqizë”, me vlerë të tenderit në shumën 322.439.000 Lekë të reja, me afat kohor 10 mujor.
SPAK njofton se në analizë të veprimeve hetimore të kryera deri në këtë moment, ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetasit nën hetim Lefter Alla së bashku me Enkeleda Lleshi që është n/kryetare, Rubin Kola, Erion Isaku, Leonard Daci, Arseb Gjoka, Kujtim Zogu, Denis Xholi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë konsumuar veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” .
Lefter Alla dhe Enkeleda Lleshi në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë konsumuar veprën penale “Shpërdorim detye” parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal.
Rasim Daci, Aqif Konesha, Ana Nishku, Dalo Gazidedja në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë konsumuar veprën penale “Falsifikim i dokumenteve” parashikuar nga neni 186/2,3 i Kodit Penal, ndërsa shtetasi K. I. ka konsumuar vperën penale “Falsifikim i formularëve” parashikuar nga neni 190/1 i K.Penal .
SPAK ka vendosur masën “arrest me burg” edhe për nënkryetaren e bashkisë, Enkeleda Lleshi, si dhe për Rubin Kola, Erion Isaku, Leonard Daci, Arseb Gjoka, Kujtim Zogu, Denis Xholi, Rasim Daci, Dalo Gazidedja dhe Aqif Koneshë, miku që kreu punimet e tenderit, si dhe ka vendosur masën “arrest shtëpie” për Kastriot Ibrahimaj dhe Ana Nishku.