Lista e Kombëtares së Shqipërisë për sfidën e parë eliminatore të “Euro 2024” kundër Polonisë më 27 mars është zyrtarizuar. Anis Mehmeti dhe Jasir Asanin janë dy prurjet e reja të Sylvinhos.
Futbollisti i Bristol City ka tërhequr vëmendjen e brazilianit me paraqitjen e tij, ndërsa Asani i cili luan në Korenë e Jugut me Gwangiu, ka vendosur të lërë përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut, ku është aktivizuar me 21 dhe 19-vjeçarët, për të qenë pjesë e Kombëtares së Shqipërisë.
Nga kampionati shqiptar, do të jetë pjesë e skuadrës Andi Hadroj. Në mungesë të Berat Gjimshitit të dëmtuar, Sylvinho ka ftuar Jon Mersinajn.
Sakaq, do të mungojnë disa prej lojtarëve që në ndeshjet e fundit të Kombëtares kanë qenë pjesë e formacionit. Odise Roshi dhe Bekim Balaj nuk do të jenë pjesë e grumbullimit, ndërsa nuk janë ftuar as Ernest Muçi dhe Xhuljano Skuka.
Sa i takon të ashtuquajturës “Garda e Vjetër” në listë do të jenë Amir Abrashi dhe Sokol Cikalleshi.