Finalizohet faza e katërmbëdhjetë e operacionit policor të koduar “Restart”.
Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në bashkëpunim me AMP Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes të lëndëve narkotike dhe trafikimit në drejtim të shtetit grek.
Vihen në pranga 3 shtetas dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë.
Sekuestrohen 8.2 kg të tjera lëndë e dyshuar narkotike kanabis.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, në vijim të operacionit policor “Restart”, kanë finalizuar me sukses fazën e katërmbëdhjetë të tij, si rezultat i së cilës u arrestuan në flagrancë shtetasit:
– Gj. B., 26 vjeç, L. S., 29 vjeç dhe M. K., 19 vjeç, banues në Ersekë;
Si edhe u referuan materialet në Prokurori dhe u shpallën në kërkim shtetasit:
– G. D., 35 vjeç, banues në Leskovik dhe K. P., 24 vjeç, banues në Ersekë.
Në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative se shtetasit e lartpërmendur, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin aktivitetin e kundërligjshëm të prodhimit dhe shitjes të lëndëve narkotike, shërbimet e Policisë organizuan punën dhe në qytetin e Ersekës, Kolonjë, nga kontrolli i ushtruar në automjetin tip “Benz” me drejtues shtetasin Gj. B., u gjetën 2 qese me 8.2 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis.
Nga hetimet e kryera rezulton se bashkëpunëtorë të 26-vjeçarit, në këtë veprimtari kriminale ishin edhe 4 shtetasit e tjerë. Konkretisht shtetasi L. S., monitoronte rrugën, për të sinjalizuar 26-vjeçarin, në rast se kishte prezencë të shërbimeve të Policisë, në rrugë. Ndërsa shtetasit M. K., G. D. dhe K. P., dyshohet se do të kryenin transportimin e lëndës narkotike, nga qyteti i Ersekës, në drejtim të fshatit Barmash, Kolonjë e më pas drejt qytetit të Leskovikut.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.