Në qytetin e Korçës është arrestuar një 38-vjeçar me inicialet Th. Xh pasi u kap në lokalin në pronësi të tij, të paregjistruar sipas ligjeve në fuqi, duke vënë baste sportive, me celular. Gjithashtu është proceduar një 26-vjeçar me inicialet A. K që u kap teksa vinte baste sportive, në një lokal tjetër.
Njoftimi i Policisë:
Vijon operacioni policor i koduar “Basti i fundit”.
Goditen 2 raste të paligjshmërive në fushat e lojërave të fatit dhe informalitetit.
Vinte baste sportive nëpërmjet celularit, në lokalin e tij të paregjistruar në organet tatimore, arrestohet në flagrancë 38-vjeçari.
Procedohet penalisht edhe një 26-vjeçar që u kap teksa vinte baste sportive, në një lokal tjetër.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të operacionit policor të koduar “Basti i fundit”, për goditjen e informalitetit dhe organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, kanë vijuar kontrollet në ambiente të ndryshme të qytetit të Korçës, ku dyshohet se mund të kryhen këto paligjshmëri, dhe si rezultat, në lagjen nr. 4, kanë goditur 2 raste të tjera në këto fusha, dhe:
-kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Th. Xh., 38 vjeç, pasi u kap në lokalin në pronësi të tij, të paregjistruar sipas ligjeve në fuqi, duke vënë baste sportive, me celular;
-kanë referuar materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. K., 26 vjeç, banues në Korçë, pasi u konstatua në ambientet e lokalit të tij, duke vënë baste sportive me celular.
Celularët e këtyre shtetasve, që i shërbenin kësaj paligjshmërie, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.