Fatbardh Kadilli, kandidat në garën për kreun e PD-së, ka votuar ditën e sotme për zgjedhjet e brendshme që po zhvillohet brenda partisë. Gjatë një deklaratë për median ai u shpreh se është i lumtur që ndezi shkëndijën e garës brenda partisë, dhe i ka bërë thirrje demokratëve që të vijnë në masë për të votuar, si dhe tha, se ky është një moment për të reflektuar.
Sipas Kadillit, gara nisi e pabarabartë dhe ashtu përfundoi, por zoti Kadilli shprehet optimist se PD-ja do të jetë një parti e hapur, e bashkuar dhe fituese. “Është një moment i rëndësishëm për PD dhe anëtarët e saj i ftoj të gjithë të marrin pjesë në votim sepse e duam këtë parti dhe duam të ringrihet. Është një garë që u mbyll siç u nis e pabarabartë por jam i lumtur që ndeza shkëndijën e parë të saj. Ndeza kurajon. Manifesti për ta bërë partinë të pastër të hapur të bashkuar do vazhdojë. Në përgjithësi i rri larg këtyre proceseve, procesi i vërtetë është fryma me të cilin do dalin demokratët. Është hera e parë që një forcë politike shtrëngohet në pak kohë që të reflektojë shumë”, u shpreh ai.
Kujtojmë se më parë Kadilli është shprehur se synon shndërrimin e PD-së në një lëvizje popullore me forcë tërheqëse për gjithë, si një parti opozitare pa asnjë njollë korrupsioni financiar dhe moral. Gjithashtu vizioni tij është një parti ku forca qëndron jo tek vula e kryetarit por tek vota e anëtarit, një parti që frymëzon me modelin dhe me kauzat e saj që duhet të jenë programore dhe jo rastësore si deri më sot.
/ Video: OraNews/