Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se nëpërmjet përmbushjes së obligimeve nga marrëveshja e arritur në Ohër, Kosova dhe Serbia do të përshpejtojnë rrugën anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ai tha të dielën mbrëma në një komunikatë se SHBA-ja do të mbetet e angazhuar në mënyrë aktive “në koordinim me partnerët e BE-së”, për të mbështetur Serbinë dhe Kosovën në zbatimin e marrëveshjes.
“Ne do të vazhdojmë të mbështesim avancimin e stabilitetit dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor. Falënderojmë BE-në për lehtësimin e bisedimeve dhe Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për pritjen e palëve dhe mbështetjen për finalizimin e kësaj marrëveshjeje”, thuhet në komunikatën e Blinkenit.
Kosova dhe Serbia arritën dakordim pa nënshkruar asgjë për aneksin e marrëveshjes. Zyrtarët e Bashkimit Evropian e konsideruan sukses, ndërsa aneksi është bërë publik.