Hotel “Alpar” në Fier, një godinë dykatëshe në pronësi të një trafikanti ndërkombëtar kokaine, është zgjedhur nga kryebashkiaku Armando Subashi si Shtab elektoral i Partisë Socialiste. Edhe pse nuk ka marrë ende një konfirmim, nëse do të jetë ose jo kandidat, Subashi e ka njollosur imazhin e PS.
Socialistët fierakë nuk e duan Armando Subashin për një mandat tjetër në krye të Bashkisë së Fierit dhe i kanë shkruar dhe kryeministrit Edi Rama. Ata kërkojnë që ai të marrë masa, së pari për Shtabin elektoral dhe së dyti, të zgjedhë një emër tjetër për Fierin.
Ditë më parë, vëllai i Armando Subashit ka marrë me qira Hotel “Alpar” në Fier për ta kthyer në Shtab elektoral të Partisë Socialiste, për zgjedhjet lokale të 14 Majit. Puna ka nisur dhe godina është përshtatur për takime e organizime të partisë.
Ndër takimet e para në këtë objekt në pronësi të një trafikanti ndërkombëtar të kokainës, ka qenë ai me kryetarët e Këshillave Socialiste. Më datë 4 Mars, Subashi ka pritur 13 kryetarët dhe ka pirë kafe me ta, për t’ju prezantuar objektivat për lokalet e 14 Majit.
Dy ditë më vonë, më datë 6 Mars kryebashkiaku i Fierit ka organizuar një takim me të rinjtë e Forumit Rinor të PS, në ambientet e Shtabit elektoral. Takimet elektorale në këtë objekt kanë vazhduar në 7 Mars dhe në 13 Mars, respektivisht me mësuesit e shkollës “Andon Xoxa” dhe me koordinatorët e PS për Rajonin nr.2 në Fier.
Gjithë qyteti e di pronësinë e këtij hoteli që është marrë me qira nga familjarët e Armando Subashi dhe kjo ka shqetësuar socialistët dhe strukturat e Partisë në Fier. Më datë 20.10.2019, hotel “Alpar” është sekuestruar me vendim të Gjykatës së Fierit dhe Qendrës Kombëtare të Biznesit i është kërkuar të regjistrojë sekuestron e kuotave e të mos bëjë asnjë transaksion shitje të tyre.
Shtetësja Resmije Vathi e cila pretendon se është ajo pronarja e objektit në qendër të qytetit të Fierit, objekt i cili është kthyer në Shtab elektoral të Partisë Socialiste nga Armando Subashi, ka reaguar.
Shtetësja në fjalë ka vënë në dispozicion dhe dokumentet e mëposhtme, për pretendimet e saj, të vitit 2002:
Mirëpo, nga dokumentet e depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ky objekt është në pronësi të shtetasve Arjan Shanaj dhe Lindita Shanaj. Më datë 05.02.2013, pretenduesi, shtetësja Resmije Vathi është larguar si administratore dhe në vend të saj është emëruar Lindita Shanaj, për një afat 5 vjeçar.
Po më datë 05.02.2018, Asambleja e Ortakëve ka vendosur riemërimin e administratorit, shtetases Lindita Shanaj. Një vit më pas, më 15 Mars 2019, hotel “Alpar” ka ndryshuar statusin e aktivitetit, duke kaluar në aktivitet “Të Pezulluar”.
Ky vendim është marrë pak muaj para se Gjykata e Fierit të firmoste sekuestron e hotelit që sot është bazë elektorale e Partisë Socialiste. Objekti ka kaluar në administrim të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara dhe administrator janë emëruar shtetasi Erion Babameto dhe Farudin Arapi.
“Ekzekutimi i vendimit penal, Nr.62 – 2019- 5221 (1522), dt. 20.10.2019, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier. – Sekuestrimi i kuotave të pjesmarrjes si ortak në shoqëritë : “ALPAR * * *”shpk, pajisur me NIPT – K32728450H, të shtetasve: Arjan Shanaj dhe Lindita Shanaj. – Urdhorohet QKB, të regjistrojë sekuestron e kuotave e të mos regjistrojë asnjë transaksion shitje të kuotave të shtetasve Arjan Shanaj dhe Lindita Shanaj, në persona të tjerë.”/NewsBomb
Më poshtë, të gjithë dokumentet për Hotel “Alpar” dhe pronësinë e tij: