Teza e Matematikës/ Maturantët në protestë: Duam të ulet tavani i pikëve

Ditën e sotme maturantët nga të gjithë gjimnazet e Tiranës kanë zhvilluar protestën e dytë përpara Ministrisë së Arsimit. Të ulur këmbëkryq në rrugë, ata theksojnë se testi i maturës se Matematikës nuk ishte ndërtuar në bazë të programit që ato kanë ndjekur, dhe për më tepër ai ishte i kopjuar dhe i keq përkthyer nga tezat e Cambridge. Ata pretendojnë se teza e provimit të matematikës ishte tepër e vështirë dhe koha e vendosur në dispozicion për realizimin e saj sipas tyre, ishte e pamjaftueshme.

Maturantët e nisën fillimisht protestën në Ministrinë e Arsimit dhe më pas ato u drejtuan për te QSHA (Qendrën e Shërbimeve Arsimore) dhe kryeministria, për ta mbyllur aty protestën e ditës së sotme. Ata kanë kërkuar nga ministria që të paktën, të ulet tavani i pikëve, në mënyrë që, nxënësit e mirë të marrin nota pozitive dhe që mundi i tri viteve, të mos shkojë dëm.

“Reagimin e ministrisë nuk e pranojmë. Duam të ulet tavani i pikëve se shumë nxënës të mirë kanë dalë shumë keq. Koha nuk ishte e mjaftueshme, pyetjet ishin përkthyer skandal. Ne duam të marrim notat, që të kapim pikët për të shkuar në universitetet shtetërore”, tha një nga maturantet. “Protestojmë për një kauzë. Provimi ishte përtej pritshmërive. Kërkesa jonë është ulja e pikëve dhe ndryshimi i llogaritjes së pikëve. QSHA dhe Ministria të na japë një zgjidhje”, shprehen ata.

Maturantët kërkojnë që deri ditën e nesërme Ministria e Arsimit të vendosë për të ulur tavanin e pikëve, si dhe kërkojnë nga korrigjuesit e tezave që të tregohen tolerantë, e të marrin parasysh faktin që mësimin e kanë kryer në kushte të pazakonshme, për shkak të pandemisë. Kujtojmë që  kanë edhe një provim për të realizuar dhe janë ato me zgjedhje që do të zhvillohen ditën e martë. Shumë prej tyre janë shprehur se nëse MAS nuk ul tavanin e pikëve maksimale do të bojkotojnë dhe provimin e lëndës me zgjedhje të Maturës Shtetërore.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *