Enkelejd Alibeaj në një konferencë pas mbledhje së grupit parlamentar të PD-së dhe Kryesisë ka deklaruar se PD nuk mund të ketë dy kandidatë në zgjedhjet e 14 majit.
I pyetur nëse janë ndërprerë përfundimisht urat e komunikimit me Sali Berishën apo nëse është finalizuar mundësia për bashkimin e demokratëve, ai u shpreh se të marrësh demokratë dhe t’i çosh në një parti që nuk ka këtë logo apo ngjyrë sipas rregullave të statutit është e papajtueshme me pozicionin dhe qëndrimin e PD-së.
Ai vijoi duke thënë se e ka bërë të qartë për Berishën, nuk është çështje personale, por qartësisht e identitetit të PD-së, pasi kjo parti është themeluar si parti pro-perëndimore dhe se marrëdhëniet me SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar dhe BE-në janë në thelbin dhe ADN-në e kësaj partie.
Pyetje: Në Mirditë u shprehët se futja e një pjese demokratësh në një logo të një partie tjetër shënon thuaje një ndarje finale mes demokratësh, a janë ndërprerë urat e komunikimit me Berishën?
Alibeaj: PD nuk ka sesi të ketë 2 kandidatë, ka vetëm një kandidat, të tjerët mund të jenë nën logo të tjera, në parti të kundërta nga PD si PL apo PS le të themi. Të marrësh demokratë dhe t’i çosh në një parti që nuk ka këtë logo apo ngjyrë, unë besoj se sipas rregullave të statutit është e papajtueshme me pozicionin dhe qëndrimin e PD-së.
Unë e kam bërë të qartë për Berishën, nuk është çështje personale, por qartësisht e identitetit të PD-së. PD është themeluar si parti pro-perëndimore, marrëdhëniet me SHBA dhe MB janë në thelbin dhe AND-në e kësaj partie. Relatat apo aleanca e kësaj partie me to janë më shumë se të shenjta. Kemi bërë maksimumin, përtej cdo durimi që është i justifikueshëm për të pasur një kandidat të demokratëve dhe më gjerë se kaq. Një kandidat fitues me moral ku të bashkohen ata që duan ta shohin regjimin e Edi Ramës në një kufi, është e qartë për gjithsecilin prej nesh.