Në Shqipëri janë rreth 800 persona me sindromën Down të grupmoshave të ndryshme. Përveç vështirësive të shumta, integrimi në shoqëri dhe mbi të gjitha punësimi mbeten sfidat kryesore.
“Në të gjithë vendin janë të rregjistruar rreth 800 persona me këtë sindromë të grupmoshave të ndryshme. Punësimi dhe përgatitja për tregun e punës mbetet sfidë për gjithë sistemin, dhe jo vetëm për personat me sindromën Down sepse që të shkojmë tek punësimi, do duhet që pikësëpari të kemi një arsim cilësor, formim profesional cilësor dhe pastaj një punësim të akomoduar të personave me sindromën Down. Për çështjen e punësimit, vetë personat me sindromën Down duhet të përgatiten, por edhe bizneset ose ato që ofrojnë punë duhet të kenë një trajnim si staf për t’u qasur në mënyrën sa më të mirë të mundshme.”
Specialistët rendisin disa nga punët ku mund të përfshihen të rinjtë e kësaj kategorie të shoqërisë.
“Mjafton që të jetë një punë që është disi rutinore, me instruksione të qarta dhe që është plotësisht e aksesueshme dhe e bëshme. Mund të jetë përshembull një pozicion sekretar, kopshtar, në magazinë ku mund të palosë rroba.”
Një tjetër sfidë për fëmijët me sindromën Down mbetet edhe arsimimi pasi duhen shtuar më shumë edukatore apo mësues ndihmës, si dhe është e nevojshme përshtatja e kurrikulave mësimore./Klan