Gjurmët e gishtave të Ardjan Bashkurtit u gjetën në një ‘shtëpi bari’ ku rriteshin qindra bimë, duke bërë që të përfundonte pas hekurave. 28-vjeçari shqiptar u burgos për dy vjet në Gjykatën e Kurorës së Leeds këtë javë pasi pranoi tre akuza për prodhimin e kanabisit.
Mediat britanike raportojnë se policia bastisi një pronë në Nowell Place në Harehills më 19 maj 2021, ku gjetën dhoma të kthyera për rritjen e bimëve të kanabisit. Gjithsej 227 bimë u gjetën, si dhe një gjurmë gishti. Më 23 shtator 2022 në Cross Flatts u gjetën 112 bimë dhe përsëri, të njëjtën gjurmë gishti.
Më në fund, më 10 janar të këtij viti, policia bastisi të njëjtën pronë në Noster Place ku u gjetën 60 bimë të tjera, së bashku me pajisjet e zakonshme të rritjes. Ata mundën të arrestonin Bashkurtin dhe konstatuan se shenjat e gishtave i përkisnin atij.
I intervistuar për të tre operacionet, ai tha se u detyrua të punonte nga ata që e ndihmuan ta sillnin ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar nga Shqipëria në mars 2021. Shqiptari rezulton pa precedente penale.
“Ai po ndiqte ëndrrën e tij në atë kohë për të ndihmuar ekonomikisht familjen, por ajo ëndërr u kthye në një makth. Ai kryente një funksion shumë të kufizuar dhe ishte nën presion. Ka një element shfrytëzimi”, tha avokati Shufqat Khan.
Ndërkohë, gjykatësi Ray Singh i tha Bashkurtit se duhej të merrte përgjegjësinë. “Kishte një nivel shfrytëzimi dhe cenueshmërie, por unë duhet të balancoj që ju e keni vendosur veten në atë pozicion”, tha gjykatësi.