Derdhja e naftës ndez alarmin mjedisor në brigjet lindore të Korsikës

Një derdhje e naftës është zbuluar në det pranë Korsikës, rreth 10 kilometra nga bregu lindor i ishullit francez. Prefekti i Korsikës Veriore ka njoftuar se ka aktivizuar planin Polmar-Terre, kushtuar mbrojtjes së bregdetit.

Gjatësia e njollës shtrihet afërsisht në 35 kilometra. Ajo është e vendosur në sektorin Aleria-Solenzara dhe lëviz drejt bregdetit, tha prefektura detare e Mesdheut në një deklaratë. “Madhësia (e copëtimit, ed) dhe natyra e produkteve nuk lejojnë hollim natyral dhe kërkojnë përdorimin e njësive dhe pajisjeve specifike kundër ndotjes,” tha i njëjti burim.

Autoritetet franceze po nxitojnë të pastrojnë një derdhje nafte që po i afrohet Korsikës, duke i dhënë jetë një plani kundër ndotjes për të parandaluar që njolla të arrijë brigjet e plazheve.

Njolla gjigante u konstatua të premten nga marina franceze gjatë një stërvitjeje të kryer nga baza ajrore në lokalitetin Ventiseri të ishullit.

“Bëhet fjalë për naftë të përdorur që mbahet në depozita dhe që duhet përpunuar në porte. Për këtë proces ka aparatura të posaçme. Sidoqoftë, disa njerëz, vetëm për të kursyer ca para më shumë, i derdhin ato në det dhe për pasojë ndodh kjo”, thotë Barbara Pompili, ministre për Tranzicionin Ekologjik në Francë.

“Ndërsa flasim kemi tre anije që do të kontrollohen sapo të mbërrijnë në portin që kanë si destinacion. E sigurt është se ne nuk do të heqim dorë nga hetimi. Ne kemi arritur deri këtu të vendosur për të gjetur personat që kanë bërë këtë derdhje. Sikurse e kam thënë më herët, ata janë kriminelë dhe duhet të trajtohen si të tillë”, shprehet Annick Giradin, ministre për Detin, Francë. Autoritetet në pjesën veriore të ishullit të Korsikës kanë bllokuar aksesin në plazhet e qyteteve Aleria dhe Ventiseri dhe kanë bllokuar peshkimin në zonë.

/Burimi Tgcom24: përshtati në shqip Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *