Lefter Alla, kryetar i bashkisë së Bulqizës, është shkarkuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Vendimi është marrë ditën e sotme.
Ish-kryebashkiaku socialist ka të drejtë që ta ankimojë shkarkimin e tij brenda 15 ditëve në Gjykatën Kushtetuese.
Alla dhe 12 persona të tjerë, 7 prej tyre zyrtarë të bashkisë, u arrestuan për abuzim me një tender me vlerë rreth 3 milionë euro. Në pranga ka rënë edhe nënkryetarja e Bashkisë, Enkeleda Lleshi.
Arrestimi i tyre është bërë pasi akuzohen se kanë favorizuar të afërmin e Lefter Allës, Aqif Koneshën, i cili ka kryer punimet e ujësjellësit të ri.
Vendimi:
‘V E N D I M
PËR
SHKARKIMIN NGA DETYRA TË KRYETARIT TË BASHKISË BULQIZË, Z. LEFTER ALLA
Në mbështetje të neneve 100 e 115, pika 1, të Kushtetutës, dhe të shkronjës “a”, të nenit 62, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Shkarkimin nga detyra, për shkak të shkeljeve të rënda, të kryetarit të Bashkisë Bulqizë, z. Lefter Alla.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.