Sërish një tjetër rast për emigracion të paligjshëm është kapur në flagrancë nga policia. Shtetasi Artur Gjolena, 40 vjeç, është arrestuar nga efektivët e Gjirokastrës, në tentativë për të kaluar emigrantë të paligjshëm kundrejt fitimit.
Ai u kap në vendin e quajtur “Ura e lumit” duke transportuar me automjetin tip ‘Benz’, 6 emigrantë të paligjshëm nga vendet e treta, në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit 200 euro për person.
Arrestimi është arritur falë bashkëpunimit të shërbimeve FRONTEX-it dhe Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, të cilët luftojnë kundër krimit të trafikimit dhe emigracionit të paligjshëm.
Njoftimi i plotë:
Goditet një tjetër rast i tentativës për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. U kap duke ndihmuar 6 emigrantë të paligjshëm, kundrejt fitimit, bie në pranga 40-vjeçari.Sekuestrohet një automjet dhe një aparat celular. Shërbimet e Policisë Kufitare Kakavijë, në bashkëpunim me shërbimet e FRONTEX-it dhe Seksionin për Hetimin e Trafiqeve në DVP Gjirokastër, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, arrestuan në flagrancë shtetasin A. Gj., 40 vjeç, banues në Tiranë. Shtetasi A. Gj. u kap në vendin e quajtur “Ura e lumit” duke transportuar me automjetin tip “Benz”, 6 emigrantë të paligjshëm nga vendet e treta, në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit 200 euro për person. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një automjet dhe një aparat celular. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.