Numri i lartë i emigrantëve të paligjshëm që mbërrijnë në brigjet italiane, vijon të jetë një problem shumë i madh për gadishullin. Ky fenomen është për momentin në qendër të opinionit publik dhe një problem kryesor për qeverinë e Melonit.
Sipas shifrave të raportuara nga mediat italiane, mbi 2 mijë emigrantë të paligjshëm mbërritën në ishullin e Lampedusas të premten (brenda 24 orëve) duke vendosur një rekord të ri. Qindra emigratë zbarkuan edhe në Kalabri. Ndërsa agjencitë shtetërore kanë raportuar se gjatë natës, janë zbuluar edhe dy varka të cilat transportonin dhjetëra emigrantë që vinin kryesisht nga Guinea, Mali, Bregu i Fildishtë si dhe Burkina Faso.
Brenda 24 orëve, janë shpëtuar rreth 600 emigrantë të cilët rrezikonin të mbyteshin pasi varka me të cilën udhëtonin po fundosej për shkak numrit të madh që mbante.
Në shkurt një tragjedi u regjistrua në brigjet e Cutros në Itali, ku 62 emigrantë të paligjshëm humbën jetën pasi anija e peshkimit me të cilën udhëtonin rreth 180 persona, u përmbys.