Ndihmat për Ukrainën/ Maqedonia e Veriut dhuron 12 helikopterë luftarakë

Maqedonia e Veriut ka vendosur që t’i dhurojë Ukrainës 12 helikopterët e saj luftarakë, të llojit Mi-24.

Ministrja e Mbrojtjes, Sllavajnka Petrovska, tha për mediat në Shkup se dhurimi i tyre bëhet me kërkesë të Qeverisë ukrainase, por edhe vlerësimeve të Armatës maqedonase se “lirimi nga këto pajisje ushtarake nuk do të dëmtojë kapacitetet mbrojtëse të Maqedonisë së Veriut”. Ajo u shpreh se Ministria e Mbrojtjes do të blejë të paktën tetë helikopterë të rinj për më shumë qëllime, të cilët do të kenë në radhë të parë rol transportues, dhe jo luftarak.

Ndihma e përgjithshme e Maqedonisë së Veriut për Ukrainën arrin në 30 milionë dollarë.

Maqedonia e Veriut që në ditët e parë të agresionit rus i ka dhënë mbështetje Qeverisë në Kiev, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, ndërsa ka mbështetur të gjitha vendimet për sanksione ndaj Rusisë.

Helikopterët e parë Mi-24 e parë Maqedonia e Veriut i bleu nga Ukraina në vitin 2001 në kohën e konfliktit të armatosur mes forcave qeveritare dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Pas përfundimit të konfliktit, numri i helikopterëve u rrit në 12 dhe paralelisht u bë modernizimi i tyre. Helikopterët Mi-24 janë përdorur në luftën në Afganistan, në atë ndërmjet Irakut dhe Iranit, në konfliktet në Amerikën e Jugut, gjatë luftërave ruso-çeçene, por edhe në Ballkan gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *