Të paktën 26 persona kanë vdekur në Mississippi dhe Alabama pasi një tornado goditi shtetet jugore të SHBA-ve. Përpjekjet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë dhe qeveria e shtetit të Mississippit ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Qyteti i Rolling Fork thuajse është “rrafshuar” plotësisht.
Kudo nëpër rrugë shihen makina dhe shtëpi të shkatërruara dhe pemë të shkulura. “Është një tragjedi ,” tha guvernatori i shtetit Tate Reeves në një postim në Twitter. Duke folur për CNN, kryebashkiaku i Rolling Fork, Eldridge Walker, tha: “Qyteti im nuk ekziston më”.
“Shtëpitë e rrënuara mund të zëvendësohen, por ju nuk mund të zëvendësoni një jetë ”, vazhdoi ai. Presidenti i SHBA Joe Biden ofroi gjithashtu mbështetjen e tij për rajonin e prekur nga stuhia. Ai i përshkroi imazhet që dolën nga Misisipi si “zemërthyese” dhe tha se qeveria “do të bënte gjithçka që mundet për të ndihmuar”.