Lajme të këqija nga Groenlanda! Në zonën jugperëndimore të këtij ishulli, i cili, mos harroni, është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës, sasi të mëdha merkuri po përfundojnë në lumenj dhe si rrjedhojë në det.
Sidoqoftë, në këtë rast, njeriu nuk ka faj. Merkuri në fjalë vjen nga shkëmbinjtë metamorfikë që përmbajnë këtë metal në përqendrime jo aq te larta që të favorizojnë zhvillimin e aktiviteteve nxjerrëse, por të mjaftueshëm për të ndotur ujin në një mënyrë shqetësuese.
Shkëmbinjtë metamorfikë do të thotë që fillimisht ato kanë qenë shkëmbinjtë magmatik, por për shkak të temperaturave shumë të larta në brendësi të kores së Tokës, kanë pësuar procesin e metamorfozës, gjatë të cilës formojnë edhe përmbajtje minerale specifike
Cili është rreziku?
Arsyeja e shqetësimit buron nga fakti se ky metal toksik mund të grumbullohet tek kafshët detare, të cilat nga ana tjetër përbëjnë një element themelor të dietës së komuniteteve lokale.
Shkëmbinjtë që përmbajnë merkur në Groenlandë mbulojnë zona të mëdha. Akullnajat të cilat lëvizin ngadalë nga zemra e ishullit në drejtim të detit, “bluajnë” shkëmbinjtë në pjesën e poshtme dhe mbërthejnë grimcat e merkurit, të cilat transportohen dhe më në fund lëshohen në ujin e shkrirë.
Studimi u krye nga Jon Hawkings i Universitetit Shtetëror të Florida dhe kolegët e tij, të cilët analizuan ujin e shkrirë që rrjedh nga skaji jugperëndimor i shtresës së akullit të Groenlandës. Studiuesit kryen dy ekspedita në ishullin e madh, në 2015 dhe 2018, gjatë së cilës ata mblodhën mostra nga tre lumenj që marrin deri në 800 metra kub ujë në sekondë nga akulli i Groenlandës. Rezultatet e tyre u botuan në Nature geoscience.
Hawkings shpjegon: ‘Përqendrimet e merkurit në këtë rajon janë të paktën 10 herë më të larta se ato të një lumi’ mesatar ‘. Kjo do të thotë se uji i shkrirë është po aq i pasur me zhivë sa disa lumenj shumë të ndotur, edhe pse në këtë rast merkuri nuk u fut në ujë nga njerëzit. ‘
Sipas llogaritjeve të kryera, duket se deri në 42 tonë merkur në vit arrijnë në det nga Groenlanda, e cila përbën rreth 10 përqind të asaj që të gjithë lumenjtë e planetit, së bashku, sjellin në oqeane.
Përqendrimet e merkurit janë ndër më të lartat e regjistruara ndonjëherë në literaturën shkencore për ujërat natyralë jo të ndotur nga aktiviteti njerëzor. Merkuri është një nga elementët qendrorë të shqetësimit global për shkak të toksicitetit të tij. “Rastësisht,” paralajmëron Hawkings, “ndërsa zhiva lëviz lart në zinxhirin ushqimor, ajo bëhet më e përqendruar”, dhe meqenëse njerëzit janë në krye të zinxhirit, problemi është jashtëzakonisht serioz.
/Burimi Focus/ përshtati në shqip Priza.al/