Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë ditën e sotme në ceremoninë e nderimit të shtatë sportistëve shqiptarë, të cilët falë talentit e disiplinës së tyre janë shpallur kampionë Europe ose bote. Ata janë nderuar me medaljen “Ylli i Madh i Mirënjohjes Publike”. Mes tyre ishte peshëngritësi Erkand Qerimaj si dhe skiatorja Lara Colturi.
Sportistët e vlerësuar me medaljen:
Briken Calja – kampion bote në peshëngritje
Erkand Qerimaj – kampion në peshëngritje
Zelimkhan Abakarov – kampion në mundje
Lara Colturi – kampione në ski
Eklent Kaçi – bilardo
Alban Beqiri – vendi i tretë botëror në boks
Genta Beqja – bodybuilding
“Kemi parë bashkë me kryetarin e komitetit olimpik, që sot ne kemi në aspektin e vlerësimeve për sportistët një politikë financiare që praktikisht i fut sportistët tanë elitarë në nivelin e parë evropian sa i përket mbështetjes financiare. Padiskutim jemi të parët në rajon, në raport me shumë vende që kanë kampionë botërorë në këto disiplina dhe duam ta bëjmë këtë duke shtuar edhe një mbështetje për periudhën stërvitore speciale sepse aty ka akoma një boshllëk. Do të japim mundësinë për stërvitjen në ato parametra siç është rasti i Luizës që kishte nevojë për stërvitje” – u shpreh Rama gjatë fjalës së tij.