Ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur se liria e mediave është në momentin më të keq të saj.
Komentet Berisha i bëri gjatë një takimi në Kuçovë, ku prezantoi kandidatin e dalë nga “Primaret” për këtë bashki, Lefter Maliqin.
Ai shtoi se me shprehjen që Rama përdorte “bandat të hanë kokat e njëri-tjetrit”, jepte licenca për të vrarë.
“Ky entuziazëm është mesazhi më i fuqishëm që ju banorët e Kuçovës ju përcillni shqiptarëve në katër anët e vendit, por edhe 4 anët e dheut. Sot Shqipëria është jo në krizë, por në rrokullisje të madhe. Kurrë ndonjëherë ky vend që ka njohur pushtime të gjata, nuk është shpopulluar sa çështë braktisur këto 8 vite të regjimit të Ramës. Kurrë nuk ka ndodhur me asnjë komb tjetër që për 8 vite të largohen nga vendi 1/3 e popullatës. Kurrë ndonjë vend nuk ka humbur më shumë se një gjeneratë si e humbëm ne. Më 14 maj të votojnë kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, njërin nga qeveritarët vendorë më të përkushtuar të këtij vendi. Një bir të këtyre trevave, që pushtetin që i dhatë ju e përdori për transformime, ndryshime dhe përmirësimin e jetës tuaj.
Komunat që qeverisi Maliqi pësuan ndryshimet më thelbësore se komunat dhe rajonet e tjera të vendit. Dëshmi e përkushtimit, transparencës dhe vizionit për të ndryshuar realitetin ku jetoni. Ai vjen sot kandidat i koalicionit me mbështetjen e plotë totale të demokratëve, qytetarëve, të Partisë së Lirisë. Unë kam bindjen e madhe se në Kuçovë koalicioni ynë do të ketë një nga sukseset më të shkëlqyera. Ne më 14 maj votojmë qeveritarët vendorë. Më 14 maj realiteti është se kemi në dorë një nga vendimet më të rëndësishme të jetës sonë. Nëse analizojmë qetësisht, si ka mundësi që në 8 vite ne rrokullisemi në këtë mënyrë. Ne braktisim këtë tokë si të ishte vend i mallkuar, jo i bekuar. Të gjitha këto kanë një emërues të përbashkët.
Regjimi arriti të venosë të gjitha pushtetet në duart e tij. Të vendosë monizmin. Edi Rama sot kontrollon 10 % më shumë pushtet sesa diktatori komunist i fundit në vitet 90’. Ju si qytetarë liritë dhe të drejtat që jua njeh Kushtetuta, i keni fiktive, nuk keni asnjë garanci, sepse janë në duart e një regjimi që bazohet në drogën dhe vjedhjen tuaj. Çfarë do të bëjmë ne në 14 maj? E kemi edhe ne një përgjegjësi. E ndihmuam Edi Raman kur i dorëzuam afrofe të gjitha komunat dhe bashkitë atij. Po nuk e përsërisim më kurrë atë gabim. Ne jemi një forcë politike që mbetet e pamposhtur për dy arsye. Sepse kauzat tona janë të drejta. E dyta sepse ne gabojmë, por korrigjohemi. Në 14 maj demokratët, qytetarët e të gjitha forcave politike që e doni këtë vend, duhet të ngrihemi dhe të largojmë monizmin. Monizmi është mungesë lirie, liria është mungesë oksigjeni. Pa liri nuk ka jetë, ka vetëm rrënim. Në 14 maj ne duhet ti japim një përgjigje të merituar regjimit që bazohet në krimin dhe drogën. Ky regjim ka krijuar pasiguri absolute. Para një jave u ekzekutua në banak një gjyshe që bënte 2 punë për të mbajtur mbesën e saj. Para 2 ditësh u ekzekutua nje roje, në një breshëri kundër një media.
Sigurisht kur kryeministri thotë “kokën ti hanë njëri tjetrit”. Kjo është licencë për të vrarë. Një kryeministër ka ligjin, ka policinë, jo të ekzekutojnë njëri-tjetrin rrugëve. Kur ai thotë kokën ti hanë njëri-tjetrit, ai i ka larë duart. Dje familjarët varrosën njeriun e tyre të pafajshëm që u ekzekutua. Sot si ngushëllim patën nga ky cinik se rendi sot është më i mirë se kurrë. 14 maj është një ditë e vendimit më të rëndësishëm që kemi marrë ne nga 92-shi e deri sot”, u shpreh Berisha.