Një tërmet me magnitudë 4.6 është regjistruar në orën 23:52 të mbrëmjes së djeshme në provincën e Campobasso-s në Itali. Sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë, tërmeti ishte në një thellësi prej 23 km dhe një epiqendër afër Montaganos.
Në disa komuna janë raportuar çarje në mure. Në Campobasso parkingjet dhe vendet e pushimit u mbushën nga banorët të cilët me pizhame dhe me çanta dhe batanije të improvizuara vendosën të kalonin natën jashtë nga frika e kthimit në shtëpi. Disa kryetarë bashkie kanë vendosur të mbyllin shkollat për të mërkurën.
Sipas Mbrojtjes Civile për momentin nuk raportohet për dëme në njerëz apo sende, por ka shumë frikë tek banorët.
Përveç Molise, tronditja është ndjerë edhe në disa zona fqinje të Campania-s, Puglia-s, Abruzzo-s dhe Lazio-s.