Në një intervistë televizive të publikuar më 26 mars, presidenti rus, Vladimir Putin, tha se deri në korrik Moska mund t’i zhvendosë armët bërthamore taktike në territorin e aleatit të saj, Bjellorusisë.
Ai tha se e gjithë infrastruktura e nevojshme për një dislokim të tillë do jetë gati deri më 1 korrik. Bjellorusia kufizohet me Ukrainën, Rusinë dhe anëtarët e NATO-s, Poloninë, Lituaninë dhe Letoninë.
Muajin e ardhshëm, tha Putin, Rusia do të fillojë trajnimin e personelit ushtarak bjellorus për përdorimin e armëve bërthamore taktike. Përveç kësaj, ai tha se një objekt magazinimi për to do të përfundojë në fillim të korrikut.
Radio Evropa e Lirë pyeti disa analistë ushtarakë dhe politikë për këtë vendim, çka e motivoi atë dhe çka nënkupton ai për Rusinë, Bjellorusinë, Ukrainën dhe NATO-n.
Pavel Luzin, një ekspert i mbrojtjes dhe politikës së jashtme, i tha Shërbimit bjellorus të Radios Evropa e Lirë se “zhvendosja e armëve bërthamore në Bjellorusi është shantazh që synon jo vetëm NATO-n, por edhe Ukrainën”.
“[Udhëheqësi bjellorus Alyaksandr] Lukashenka dëshiron armë bërthamore ruse në Bjellorusi…sepse ai mendon se nëse Rusia i vendos ato, Moska do të varet prej tij, sikurse që ai varet nga Moska tani. Por. ai nuk e kupton se nëse hapet një objekt i ruajtjes së armëve bërthamore në Bjellorusi, trupat do të vendosen gjithashtu atje. Që nga fundi i vitit 2021, trupat ruse kanë qenë në Bjellorusi në baza të përkohshme. Kur të shfaqet një strukturë magazinimi, ato do të jenë atje përgjithmonë. Amerikanët ua delegojnë përgjegjësitë aleatëve të tyre në Evropë, por kultura politike dhe ushtarake ruse nuk parashikon një shkallë të tillë besimi te aleatët. Pasoja e një magazinimi të armëve bërthamore mund të jetë krijimi i disa bazave të përhershme ushtarake ruse në territorin bjellorus”.
Pavel Podvig, një ekspert i vjetër për arsenalin bërthamor të Rusisë dhe një studiues i lartë në Institutin e OKB-së për Hulumtimin e Çarmatimit në Gjenevë, thotë se nuk beson që kjo do të përfundojnë objektet e magazinimit të këtyre armëve deri më 1 korrik.
“Një objekt për ruajtjen e armëve bërthamore është një detyrë mjaft serioze inxhinierike. Duhet të ndërtoni një bunker të fortifikuar, një perimetër sigurie, të vendosni roje. Vetëm instalimi i sistemeve të mbikqyrjes dhe alarmit zgjatë nga tre deri në gjashtë muaj, dhe të gjitha këto do të shiheshin sikur të kishte filluar ndërtimi”.
“Edhe pse ky është një veprim thjesht politik, Perëndimi është në një pozitë të vështirë. Ata nuk mund të thonë se është i paligjshëm, sepse ata vetë kanë vendosur armët e tyre bërthamore në vende të tjera për shumë vite.
“Unë dyshoj shumë se armët bërthamore do të vendosen me të vërtetë në Bjellorusi. Vlera e kësaj ‘ngjarje’ është ekskluzivisht politike, jo ushtarake. Dhe për qëllime politike, as që është e nevojshme të ndërtohet objekti i magazinimit”, tha ai./REL