Një shtetas 52-vjeçar, i dyshuar si oragnizatori i veprimtarisë kriminale të kultivimit të lëndës narkotike tip kanabis u vu në pranga nga policia e Shkodrës, në një megaoperacion antikanabis në Koplik. Tre punonjës të Bashkisë në Malësi të Madhe u proceduan penalisht.
Në njoftimin e Policisë bëhet me dije se në vendin e quajtur “Badra e Mehajve”, në Koplik, në një krater që ka shërbyer për marrje inertesh janë evidentuar 27 sera, brenda të cilave janë gjetur të kultivuar në kubikë, rreth 8 000 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa.
52-vjeçari i identifikuar si Nesti Velaj alias Errnest Veshtaj është personi që është vënë në pranga pasi akuzohet se ka mbjellë 8 mijë rrënjë kanabisi në 27 sera në Koplik.
Në njoftimin zyrtar, policia bëri me dije se tre zyrtarë të Bashkisë Shkodër janë vënë nën hetim gjithashtu për të njëjtën ngjarje: Gjovalin Gjekaj, me detyrë Drejtor i Shërbimit Pyjor në bashkinë Malësi e Madhe; Roland Gjekaj, 41 vjeç, me detyrë specialist i Ujësjellësit në bashkinë Malësi e Madhe (i cili mbulon zonën ku janë gjetur fidanët narkotikë) dhe Arben Hysaj 36 vjeç, me detyrë hidraulik i Ujësjellësit në bashkinë Malësi e Madhe (i cili mbulon zonën ku janë gjetur fidanët narkotikë).
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit N. D., Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 3 armë gjahu, një sasi fishekësh për armë gjahu dhe 5 armë të ftohta (thika), të cilat ky shtetas i mbante pa leje.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në bashkëpunim me strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në zbatim të planit të masave për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, në vazhdën e megaoperacioneve të njëpasnjëshme, të zhvilluara muajt e fundit, në të gjithë vendin, me fokus goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, si dhe falë inteligjencës informative, se në vendin e quajtur “Badra e Mehajve”, në Koplik, qendër, në një krater që ka shërbyer për marrje inertesh, mund të kultivoheshin bimë narkotike në sera, kanë organizuar dhe zhvilluar megaoperacionin policor antikanabis të koduar “Krateri”.
Si rezultat i këtij megaoperacioni, 20 metra në thellësi të këtij krateri, janë evidentuar 27 sera, brenda të cilave janë gjetur të kultivuar në kubikë, rreth 8 000 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, në proces për t’u kultivuar në tokë.
Grupi hetimor, gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, ka sekuestruar prova të vlefshme që do t’i shërbejnë hetimit, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale.
Gjithashtu, vijon puna në vendngjarje me qëllim përcaktimin e saktë të numrit të fidanëve, sekuestrimin e një sasie fidanësh në cilësinë e provës materiale, asgjësimin e pjesës tjetër të fidanëve dhe agjësimin e bazës materiale që ka shërbyer për kultivimin e fidanëve narkotikë në kubikë, proces i cili do të pasqyrohet përmes pamjeve filmike dhe fotografike.
Në vijim të veprimeve hetimore, është arrestuar shtetasi N. D. alias E. V., 52 vjeç, banues në Bajzë, Malësi e Madhe, si organizator i dyshuar i kësaj veprimtarie kriminale.
Po në vijim të veprimeve hetimore, ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasit Gj. Gj., 61 vjeç, me detyrë Drejtor i Shërbimit Pyjor në bashkinë Malësi e Madhe; R. Gj., 41 vjeç, me detyrë specialist i Ujësjellësit në bashkinë Malësi e Madhe (i cili mbulon zonën ku janë gjetur fidanët narkotikë) dhe A. H., 36 vjeç, me detyrë hidraulik i Ujësjellësit në bashkinë Malësi e Madhe (i cili mbulon zonën ku janë gjetur fidanët narkotikë).
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit N. D., Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 3 armë gjahu, një sasi fishekësh për armë gjahu dhe 5 armë të ftohta (thika), të cilat ky shtetas i mbante pa leje.
Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe dhe ato të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijojnë veprimet për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për shtetasin N. D., për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive“ dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, ndërsa për shtetasit Gj. Gj., R. Gj. dhe A. H., për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Policia e Shkodrës iu bën thirrje fermerëve dhe banorëve të zonave rurale, që mos të bien pre e individëve apo grupeve kriminale që merren me kultivimin e bimëve narkotike, pasi Policia e Shkodrës është shumë e vendosur për të goditur me forcën e ligjit, cilindo që tentoj të kryejë këtë veprimtari kriminale.