Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar qeverinë Rama se po zbaton doktrinën e Çubrilloviçit për spastrimin etnik të shqiptarëve. Gjatë mbledhjes në një tryezë për shpopullimin e Shqipërisë në fjalën e tij, Berisha theksoi Shqipëria ka humbur shumë që në 8 vite i është larguar më shumë se 35% të popullsisë. Berisha theksoi se kurrë një komb nuk ka humbur kaq shumë në histori.
“Doktrina e Vaso Çubrilloviçit është doktrinë e mirëfilltë e gjenocidit ndaj shqiptarëve.
Nuk është i vetëm për fat të keq. Njësoj si ai është dhe Ivo Andriç, i cili për turpin e turpeve ka edhe çmimin Nobel. Në njëfarë mënyrë edhe ky është një lloj racizmi ndaj shqiptarëve.
Kthehemi pak te kriza që po kalojmë.
Ky është një spastrim etnik bazuar te doktrina e Çubrilloviçit në sensin e krijimit të kushteve të kalkuluara që shqiptarët të largohen nga Shqipëria. Ne përjetojmë këto vite krizën më të rëndë të ekzistencës tonë që nga vitet 1870. Shqiptarët ishin para alternativës: to bo or not. Përveç vetes së tyre, shumë të paktë ishin ata që i pranonin për kohën. Porta e Lartë dhe Pallati Jolldiz ishin të gatshëm të shpallnin grekë, sllavë, të gjithë të krishterët shqiptarë, me qëllim që shqiptarët t’i paraqisnin si otomanët e Europës. Sot ne kemi një statistikë më të saktën që kemi pasur kurrë në histori. Në 8 vite kemi humbur vetëm në hapësirën e Shengenit, 937 mijë shqiptarë, mbi 1 milion nëse llogarit edhe vendet e tjera, pra rreth 35 përqind të popullatës në Shqipëri.
Kurrë një komb nuk ka humbur kaq shumë në histori.”, deklaroi Berisha.