Shqipëria nis dy ushtarë në operacionin e NATO-s

Këshilli i Ministrave vendosi në mbledhjen e sotme dërgimin e 2 ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në shtabin e koalicionit FOB UNION III, në operacionin e NATO-s në Irak (NMI), në Bagdad, Irak.

Misioni i ushtarakëve është këshillimi i institucioneve të sigurisë së Irakut, në lidhje me menaxhimin e burimeve njerëzore, analizimin e trajnimeve të nevojshme dhe identifikimi i mangësive, si pjesë e mësimeve të nxjerra.

Kohëzgjatja e këtij operacioni është deri në 3 vjet, afat i cili llogaritet nga data e dërgimit të ushtarakëve të parë në operacion. Periudha e qëndrimit është me sistem rotacioni në çdo 6 muaj, periudhë së cilës i shtohen edhe ditët e qëndrimit për ndërrimin me kontingjentin e radhës (marrjen dhe dorëzimin e detyrës, vonesa të transportit strategjik).

Ministria e Mbrojtjes, për personelin pjesëmarrës në këtë operacion, përballon shpenzimet për dieta për ditët e qëndrimit, në masën 12 000 (dymbëdhjetë mijë) lekë në ditë, përveç pagës mujore; sigurimin e jetës; siguracion shëndetësor jashtë zonës së operacionit; mbështetje shëndetësore; shpenzime për telefon, internet dhe shërbime postare; energji elektrike, ujë dhe ujë i pijshëm; transport; aktivitete social-kulturore në rastet e festave kombëtare, gjatë kohës së kryerjes së operacionit; çdo shpenzim tjetër për mbarëvajtjen e kryerjes së operacionit.

Transporti i personelit që merr pjesë në operacion, ndërsa nis, ndryshon dhe përfundon detyrën, për t’u kthyer në Shqipëri, mbështetja shëndetësore, akomodimi, ushqimi, lavanderia, transporti i individëve të shkëputur nga operacioni për në atdhe në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disipline, përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, me përjashtim të rasteve kur arrihet nënshkrimi i marrëveshjeve dy- ose shumëpalëshe, ku pala tjetër merr përsipër përballimin e këtyre shpenzimeve.

Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *