Kuvendi do të mblidhet ditën e sotme në orën 10:00. Në rend parashikohet interpelanca me ministren e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj nga deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku.
Gjithashtu, gjatë seancës plenare do të votohet projektligji i ‘Për tatimin mbi të ardhurat’ që lidhet me sistemin e tatimit të individëve dhe entiteteve ligjore në Shqipëri.
Në projektligjin e ri, të ardhurat personale të tatueshme janë klasifikuar në 3 kategori: të ardhura nga punësimi; të ardhura nga biznesi; të ardhura nga investimi. Konkretisht të ardhurat nga punësimi do të tatohen progresivisht me normat 13 % dhe 23%, ndërsa të ardhurat nga biznesi do të tatohen progresivisht me normat 15% dhe 23%. Ndërkohë të ardhurat nga investimet apo kapitali pasiv do të tatohen me normën tatimore 15% ndërkohë që dividentët tatohen me normën tatimore 8%.