Autoritetet ruse e kanë mbyllur gazetën e tij, por gazetari Dmitry Muratov ka refuzuar të qëndrojë i heshtur.
Në takim në Moskë, kryeredaktori i gazetës “Novaya Gazeta” dhe fituesi rus i çmimit Nobeln për paqe, ka treguar për shqetësimin e tij se sa larg Kremlini mund të shkojë në konfrontimin e tij me Perëndimin.
“Dy gjenerata kanë jetuar pa kërcënimet e një lufte nukleare. Por, kjo periudhë ka mbaruar. A do ta prekë Putinin butonin nuklear apo jo? Kush e di? Asnjëri nuk e di. Nuk ka asnjë person që mund ta thotë me siguri”, tha Muratov.
Që kur Rusia ka lansuar një pushtim të shkallës së plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, kërcënimet e Moskës me luftë nukleare kanë qenë të shpeshta e të zhurmshme.
Zyrtarët e lartë kishin thënë se shtetet perëndimore që po e armatosin Ukrainën nuk duhet ta shtyjnë Rusinë aq larg. Disa ditë më parë, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka njoftuar për planet që t’i vendosin armët nukleare taktike në Bjellorusi.
Më pas një prej aleatëve të tij më të ngushtë, Nikolai Patrushev, ka paralajmëruar se Rusia ka “armë unike moderne me të cilat është në gjendje ta shaktërrojë çdo armik, përfshirë edhe SHBA-në”.
Muratov ka parë shenja shqetësuese brenda Rusisë.
“Ne e shohim se si propaganda po përgatit njerëzit që të mendojnë se lufta nukleare nuk është gjë e keqe. Në kanale televizive këtu, lufta nukleare dhe armët nukleare po promovohen sikur të jeni duke reklamuar ushqime për kafshë shtëpiake. Thonë: ‘Ne kemi këtë raketë, ne kemi këtë lloj rakete’. Flasim për shënjestrimin e Britanisë dhe Francës; për shkaktim të një cunami nukleare që do ta vërshonte Amerikën. Pse e thonë këtë? Që njerëzit këtu të përgatiten”, thotë Muratov.
Në një televizion shtetëror rus së fundi, një emision i famshëm sugjeroi që Rusia “duhet ta shpallë çdo shënjestër ushtarake në territorin e Francës, Polonisë dhe Britanisë së Madhe si shënjestra legjitime për Rusinë”.
Prezantuesi i njëjtë po ashtu tha të bëhet “fundosja e një ishulli me një armë strategjike nukleare dhe kryerja e testeve nukleare, që asnjëri të mos ketë asnjë iluzion”.
Mirëpo, propaganda shtetërore ruse e paraqet Rusinë si shtet paqësor, dhe Ukrainën e Perëndimin si agresorë. Shumë rusë i besojnë kësaj.
“Njerëzit në Rusi janë rrëzuar nga propaganda. Propaganda është një lloj rrezatimi. Të gjithë janë të ndjeshëm ndaj saj, jo vetëm rusët. Në Rusi, propaganda është në 12 kanalet televizive, dhjetëra e mijëra gazeta, rrjetin social VK që i shërben tërësisht ideologjisë shtetërore”, ka thënë Muratov.
Muratov thotë se gati një milion rusë janë larguar nga vendi e shumë prej tyre janë kategorik kundër asaj që po ndodh në Ukrainë.
“Brezi ynë i ri është i mrekullueshëm. Është i arsimuar mirë. Gati një milion rusë janë larguar nga vendi. Shumë nga ata që kanë qëndruar janë kategorik kundër asaj që po ndodh në Ukrainë. Ata janë kundër ferrit që ka krijuar Rusia atje. Jam i bindur se sapo të ndalojë propaganda, ky brez – dhe të gjithë të tjerët me arsye të shëndoshë – do të flasin”, tha Muratov.
Vitin e kaluar Muratov vendosi në ankand çmimin e tij Nobel për Paqe për të mbledhur para për fëmijët refugjatë ukrainas. Ai ka pak optimizëm për të ardhmen.
“Kurrë më nuk do të ketë marrëdhënie normale mes njerëzve në Rusi dhe Ukrainë. Kurrë. Ukraina nuk do të jetë në gjendje ta tejkalojë këtë tragjedi. Në Rusi shtypja politike do të vazhdojë kundër gjithë kundërshtarëve të regjimit. Shpresa e vetme që kam është te gjenerata e re; ata njerëz që e shohin botën si mike e jo si armike dhe që duan Rusia të duhet dhe ta dojë botën”, ka thënë Muratov.