Qeveria italiane ka paraqitur një projektligj për ndalimin e ushqimeve dhe mishit të prodhuar në laborator. Aktivistët thonë se ushqimet e prodhuara në laborator janë më të mira për mjedisin se metodat e bujqësisë masive. Por, zyrtarët italianë mendojnë se këto lloj produktesh sintetike nuk ndihmojnë për ruajtjen e kulturës dhe traditës italiane, e cila është e lidhur me ushqimin, verën dhe prodhimet bujqësore.
Duke përdorur sekuencat gjenetike të marra nga një specie e zhdukur prej kohësh, nga mamuthi, shkencëtarët arritën të prodhojnë mish në laborator.
Për këtë proces nuk është e nevojshme të vriten kafshët dhe aktivistët thonë se kështu është më mirë jo vetëm për kafshët, por edhe për mjedisin.
Por, qeveria italiane ka hartuar një projektligj për të ndaluar ushqimet dhe mishin e prodhuar në laborator.
Nëse miratohet në parlament, atëherë do të ndalohen me ligj të ashtuquajturat ushqime sintetike, si për njerëzit ashtu edhe për kafshët. Ministri italian për bujqësinë e bërë njoftimin ditët e fundit.
“Është masa e parë e këtillë në nivel ndërkombëtar. Italia është vendi i parë që i thotë jo të ashtuquajturit ushqim sintetik dhe mishit sintetik, dhe e bën këtë me një veprim ligjor. Mendojmë se është një rezultat i rëndësishëm”, tha ministri Francesco Lollobrigida.
Një numër kompanish në mbarë botën kanë filluar të prodhojnë ushqime në laborator, duke filluar që nga filetot e salmonit dhe deri tek biftekët.
Themeluesi i kompanisë australiane “Vow” që prodhoi “qoften e mamuthit”, thotë se dëshiron të frymëzojë njerëzit për të ardhmen e mishit.
“Donim që njerëzit ta prisnin me ngazëllim një të ardhme të ndryshme të ushqimeve nga ç’kemi patur deri më tani. Pasi ekzistojnë gjëra që janë unike dhe më të mira nga mishërat që hamë tani, dhe menduam se ‘qoftja e mamuthit’ do të ishte një fillim i mirë dhe që do t’i ngazëllente njerëzit për këtë të ardhme të re”, thotë Tim Noakesmith, nga kompania “Vow”.
Ministri Lollobrigida thotë se masa e ndalimit synon të mbrojë shëndetin e italianëve. Ai thotë se këto lloj produktesh nuk ndihmojnë për ruajtjen e kulturës dhe traditës italiane, e cila është e lidhur me ushqimin, verën dhe prodhimet bujqësore. Propozimi ligjor u mbështet edhe nga lobi i fermerëve italianë.
Ligji do të ndalë krejtësisht prodhimin, shitjen, importin dhe komercializimin e ushqimeve të prodhuara në laboratorë. Gjobat për shkelësit mund të arrijnë deri në 600 mijë Euro.
Ministri thotë se ligji synon të parandalojë padrejtësitë sociale në tregun e prodhimeve bujqësore.
“Shohim edhe rrezikun e padrejtësisë sociale, një padrejtësi sociale që tashmë ekziston në disa shoqëri për sa i përket dietës, shoqëri në të cilat të pasurit ushqehen mirë, ndërsa të varfërit hanë ushqime të cilësisë shumë të ulët dhe vuajnë për rrjedhojë edhe pasojat tek shëndeti i tyre”, thotë ministri Lollobrigida.
Aktivistët thonë se ushqimet e prodhuara në laborator janë më të mira për mjedisin se metodat e bujqësisë masive. Aktualisht, në mbarë botën shfrytëzohen miliarda hektarë tokë për aktivitet bujqësor. Ekspertët thonë se nëse përdoret gjerësisht teknologjia për prodhimin në laborator, kjo mund të zvogëlojë së tepërmi në të ardhmen ndikimin mjedisor që ka prodhimi i mishit në mbarë botën./VOA