Papa Françesku po përmirësohet, ka thënë Vatikani, pasi ai u shtrua në spital me një infeksion të frymëmarrjes. Zëdhënësi Matteo Bruni tha se 86-vjeçari, të cilit i ishte hequr një pjesë e një mushkërie, kishte fjetur mirë gjatë natës.“Shenjtëria e tij Papa Françesku kaloi një natë të qetë. Gjendja e tij klinike po përmirësohet gradualisht dhe ai po vazhdon trajtimin e planifikuar,” thuhet në deklaratë.
“Ai hëngri mëngjes, lexoi gazetat dhe madje punoi nga dhoma e tij në spitalin Gemelli të Romës. Përpara drekës ai shkoi në kishën e vogël në apartamentin privat”, shtoi Bruni. Papa kishte patur vështirësi në frymëmarrje ditët e fundit dhe shkoi në spital të mërkurën për analiza ku u diagnostikua me një infeksion respirator, megjithëse jo COVID-19.
Vatikani tha se ai do të qëndrojë për disa ditë trajtim dhe ende nuk dihet se kur do të dale nga spitali. Papa Françesku do të festojë të Dielën e Palmës këtë fundjavë, përpara festimeve të Javës së Shenjtë të Vatikanit:
Nuk dihet ende se si gjendja e tij mjekësore do të ndikojë në kremtimet e Javës së Shenjtë të Vatikanit. Hera e fundit që ai qëndroi në spital ishte në vitin 2021. Ai kaloi 10 ditë atje pas operacionit për një ngushtim të zorrëve.
Papa ka përdorur një karrige me rrota për më shumë se një vit për shkak të tendosjes së ligamenteve në gjurin e tij të djathtë dhe një frakture të vogël të gjurit. Ai ka thënë se lëndimi është duke u shëruar dhe se së fundmi ka ecur më shumë me bastun. Para se të dërgohej në spital, Papa, në një video-mesazh foli për konfliktin në Ukrainë, duke e quajtur luftën “çmenduri” dhe argumentoi se “paqja është qëllimi përfundimtar”.