‘Spiunët e ish-Sigurimit’ Mazhoranca dhe opozita në një tryezë

Mazhoranca dhe opozita ulur sot në një tryezë për të diskutuar rreth aksesit në dokumentet historike dhe hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se të dyja palët kanë të njëjtin qëllim, të largojnë nga politika bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit të Shtetit.

“Për të siguruar standardin e pastërtisë së figurës kremi propozuar nisma ligjore. Njëra ka të bëjë me garantimin e integritetit dhe tjetra ndryshime në ligj. Hera e parë që jemi në një panel me kryetarin e opozitës për këtë çështje. Edhe nisma që ka ardhur nga opozita është e mirëpritur nga ana jonë. Kanë përdorur model tjetër, synimi është i njëjtë. Ke qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit, s’mund të jesh në këtë sallë, as president, as kryeministër apo në institucionet që parashikon Kushtetuta. S’mund të jesh kryetar i një partie politike në Shqipërinë e vitit 2023 nëse ke bashkëpunuar me sigurimin e shtetit” – tha Balla.

Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj tha se ka 32 vite që politika shqiptare nuk ndërmerr akte serioze për shkak të shantazhit në politikë. Alibeaj theksoi se hapja e dosjeve dhe lustracioni s’duhet të kthehen në luftë politike ndaj kundërshtarëve.

“Shteti shqiptar dhe shoqëria kanë dështuar në mënyrë dramatike dhe mizore për të tejkaluar një nga standardet morale, ndëshkimin e diktaturës me instrumentat që Europa e Perëndimit ia ka dhënë asaj të Lindjes, aksesi në dokumentet e Sigurimit të Shtetit. 32 vite politika shqiptare nuk ka ndërmarrë akte serioze. Jo vetëm kaq por shantazhi në politikë ka qenë një nga instrumentat e luftës politike. Kjo ka ndodhur në Shqipëri. Kjo ka qenë pengesa më e madhe se përse dosjet nuk janë hapur, e vërteta ka qenë e cunguar. Lufta politike e ka përdorur dhe ky është keqpërdorimi më i madh që i është bërë kësaj pjese të rëndësishme të koshiencës. Shoqërisë shqiptare i është ofruar harresa. Është i vonuar, por duhet bërë” – tha Alibeaj.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *